Më 24 tetor 2024, projekti EU4GG, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Agjencinë për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore (AMVV), organizuan një tryezë të rrumbullakët pwr “Harmonizimin e Kompetencave dhe Financave të Qeverisjes Vendore në Shqipëri” ku morën pjesë përfaqësues nga gjashtë bashkitë pilot të projektit (Berat, Divjakë, Përmet, Pogradec, Pukë, Shkodër) dhe aktorë të tjerë kyç.
Aktiviteti u hap nga Z. Arbjan Mazniku, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe nga Znj. Marie Augouy, Menaxhere Programi për Pushtetin Vendor në Delegacionin e BE-së në Shqipëri.
Në pjesën e parë u diskutua kuadri ligjor ekzistues dhe sa i harmonizuar është ai me kompetencat e bashkive në kuadër të decentralizimit. Gjithashtu, përfaqësuesit e bashkive pilot patën mundësinë të flisnin për situatën specifike në bashkitë e tyre përkatëse.
Pjesa e dytë e aktivitetit iu kushtua modeleve të transfertave fiskale në kuadër të reformës së pushtetit vendor ku u prezantua rishikimi i praktikave dhe u paraqitën opsione të ndryshme që lidhen me përshtatjen e formulës ekzistuese për transfertat nga qeverisja qendrore tek njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe realitetin e ri, duke përfshirë incentiva të lidhur me performancën që synojnë rritjen e të ardhurave në nivel vendor.
Tryeza u zhvillua në kuadër të dialogut ndërinstitucional ndërmjet nivelit qendror dhe atij vendor dhe do të pasohet nga aktivitete të tjera.

















