Gjatë muajve tetor dhe nëntor 2025, në kuadër të projektit të BE-së për Qeverisjen e Mirë (EU4GG), u zhvilluan 5 trajnime kombëtare me temë: “Trajnim mbi Etikën në Administratën Publike: Parimet, Mbikëqyrja nga DAP, Organet Disiplinore dhe Këshilltarët e Etikës”.
Trajnimet u organizuan në Tiranë dhe mblodhën këshilltarë të etikës dhe përfaqësues të zyrave të burimeve njerëzore nga institucionet e administratës qendrore (ministritë e linjës dhe institucionet e varësisë), dy grupe trajnimi me përfaqësues të bashkive nga i gjithë vendi, si edhe përfaqësues nga institucionet e pavarura dhe entet rregullatore.
🤝 Ato u zhvilluan nga ekipi i ekspertëve të EU4GG, në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike (DAP).
Gjatë sesioneve u trajtuan parimet kryesore të etikës në administratë, konflikti i interesit, rregullat për dhurata dhe favore, roli mbikëqyrës i DAP dhe procedurat disiplinore, si edhe funksioni këshillues i Këshilltarëve të Etikës. Përmes një kombinimi prezantimesh, ushtrimesh praktike dhe lojërash me role, trajnimi synoi të rrisë kapacitetet institucionale për zbatimin në praktikë të standardeve të etikës, integritetit dhe llogaridhënies në shërbimin publik.
Falënderime të veçanta shkojnë për DAP-in dhe të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin e tyre gjatë trajnimit.
















