Projekti BE-ja për Qeverisje të Mirë mblodhi së bashku kryetarë bashkie dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore që lidhen me qeverisjen vendore për të diskutuar forcimin e rolit të bashkive në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
“Ndërtimi i qeverisjes vendore të fortë, me kapacitete të mjaftueshme, është pjesë kyçe e reformës në administratën publike. Dialogu mes nivelit qendror dhe atij lokal duhet të jetë gjithëpërfshirës, transparent dhe plotësisht funksional. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë autoritetet vendore përmes projektit të ri BEpërBashkitë, me vlerë 11 milionë euro, që nis në janar 2026. Së bashku duam të sigurohemi që procesi i anëtarësimit dhe anëtarësia në BE të sjellin përfitime për çdo qytetar shqiptar, kudo që jeton,” u shpreh Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.












































